Secondary Adv

Pista private avionesh ne toke dhe uje, miratohen rregullat per ndertimin dhe regjistrimin

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar rregullat që do të ndiqen për ndërtimin, regjistrimin dhe operimin e fushave të fluturimit dhe terreneve.

 

Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare do të jetë Autoriteti i Aviacionit Civil që do kryejë vlerësimin dhe regjistrimin e tyre, teksa specifikohet se detyrimet prekin fushat e fluturimit apo terrenet

 

që do të përdoren nga avionë me masë maksimale në ngritje nën 5700 kg, vetëm për operimet e fluturimeve kombëtare, për transport ajror të përgjithshëm, me rregullat vizuale të fluturimit, gjatë ditës.

 

Sipas rregullores fushë fluturimi është një zonë e përcaktuar, në tokë ose në ujë, e cila plotëson kushtet e nevojshme për nisjen e mbërritjen e avionëve, që përdoren në bujqësi, pylltari, aktivitete sportive dhe kreative.

 

Rregullorja përcakton standardet minimale që duhet të kenë fushat e fluturimit, që lidhen me gjatësinë, gjerësinë, pjerrësinë apo sipërfaqen e pistës.

 

Po ashtu, përcaktohet se zona e sigurisë në fund të pistës duhet të shtrihen në një distancë minimalisht 30 m nga fundi i rripit të pistës, si dhe një sërë kriteresh të tjerë.

 

Për t’i regjistruar, subjekti duhet të dorëzojë në AAC në formë të shkruar, kërkesën për regjistrim si dhe një sërë dokumetesh të tjerë, teksa gjatë procesit të regjistrimit, Autoriteti i Aviacionit civil do të duhet të kryejë verfikimet e përshtatshmërisë.

 

Ndërkaq, rregullorja përcakton se operatori i fushës së fluturimit dhe terrenit të regjistruar duhet të organizojë kryerjen, të paktën një herë në vit, të një inspektimi sigurie.

 

Po ashtu, ata duhet të hartojnë planet e tyre të fluturimit dhe të sigurojnë që kushtet meteorologjike janë të përshtatshme për tipin e fluturimit që do kryhet. Terrenet dhe fushat ekzistuese të marrin masa për të përmbushur kërkesat e rregullores brenda datës 31 tetor 2024./Burimi: SCAN


Më të lexuarat